11 vende kërkojnë pezullimin e ligjeve të reja të BE
Njëmbëdhjetë vende të Bashkimit Europian, të udhëhequra nga Austria, po kërkojnë një pauzë 12-mujore në miratimin e legjislacionit të ri të BE-së, me synimin që kjo periudhë të përdoret për shqyrtimin, thjeshtimin dhe zbatimin e rregullave ekzistuese.
Ministrja austriake për Europën, Claudia Bauer, e ka përshkruar nismën si një “vit të thjeshtimit”. Dokumenti është nënshkruar nga Austria, Gjermania, Italia, Polonia, Danimarka, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Portugalia dhe Hungaria.
“Ne nuk mund të vazhdojmë të paraqesim propozime të reja legjislative kur rregullat ekzistuese ende nuk po zbatohen plotësisht”, deklaroi Bauer në një intervistë për Brussels Playbook.
Kërkohet vlerësim më rigoroz i ligjeve të reja
Brukseli ka nisur ndërkohë paketa për reduktimin e burokracisë, të njohura si “omnibus”, por sipas Bauer këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme. Ajo argumenton se thjeshtimi duhet të kryhet përpara miratimit të legjislacionit dhe jo pasi rregullat e reja të kenë hyrë në fuqi.
“Thjeshtimet që po aplikohen aktualisht, janë kryesisht thjeshtime pas miratimit të legjislacionit”, tha ajo. “Ne i mbështesim plotësisht paketat omnibus të Komisionit, por nuk mund të kthehet në standard miratimi i legjislacionit të ri dhe më pas të ndërmarrim një seri të tërë aktesh të tjera për ta thjeshtuar atë. Thjeshtimi duhet të fillojë përpara se legjislacioni të miratohet.”
Të 11 vendet kërkojnë që çdo ligj i propozuar nga Brukseli t'i nënshtrohet një vlerësimi rigoroz për të përcaktuar përshtatshmërinë e tij dhe ndikimin në konkurrueshmërinë ekonomike. Sipas propozimit, rregulloret e reja duhet gjithashtu t'i nënshtrohen një rivlerësimi të ndikimit çdo pesë vjet.
Sipas nismës, BE-ja duhet t'i kushtojë një vit shqyrtimit dhe zbatimit të legjislacionit që tashmë ekziston. Në draftin e dokumentit theksohet se kjo përpjekje nuk duhet të konsiderohet si reduktim i rregullave, por si një “pastrim i imtësishëm i legjislacionit”.
Bauer e përmblodhi qëndrimin e saj duke theksuar nevojën për më pak diskutime dhe më shumë punë konkrete në zbatimin dhe thjeshtimin e legjislacionit ekzistues.